FETË NË GJEOPOLITIKË

Shkruan: Agim KRASNIQI

(Pjesa e parë)

Fetë po rishfaqen në sferat sociale, politike dhe ekonomike, në kontekstin e krizës aktuale të shtetit-komb, duke ilustruar kufijtë e institucioneve dhe ideologjive laike. Përdorimi politik i fesë në politikën e brendshme dhe ndërkombëtare është bërë një faktor i rëndësishëm për sa i përket rivaliteteve të pushtetit, duke ndikuar ndjeshëm në gjeopolitikën bashkëkohore në pjesë të ndryshme të botës.

Manipulimi i faktorëve fetarë për të promovuar projekte të ndryshme politike paraqet një sfidë të rëndësishme për bashkëjetesën paqësore të komuniteteve brenda shteteve dhe ndikon ndjeshëm edhe në evoluimin e konflikteve aktuale ndërmjet shteteve. Rritja e shkallës së pasigurisë në pjesë dhe vende të ndryshme, vije si pasoj e shtimit të aktiviteteve të fanatikëve fetare, të cilat vihen në dispozicion të individëve të paskrupullt, tepër ambicioz dhe të dehur nga pushteti për të arritur qëllime egoiste politike dhe materiale.

Përmes këtyre aktiviteteve, pasiguria, terrorizmi dhe dhuna, jo vetëm që kanë gjetur rrugën e saj në të gjitha qoshet dhe të çarat e shoqërive, por feja, jeta politike dhe ekonomike e qytetarëve etj. i kanë dominuar dhe po dominojnë në mënyrë të barabartë proceset politike dhe gjeopolitike. Për të kuptuar natyrën komplekse dhe dinamikën e tyre të mundshme destabilizuese, bëhet e nevojshme të bëhet një analizë nga një qasje ndërdisiplinore dhe holistike, në mënyrë që të shmangen interpretimet e gabuara të kësaj natyre.

Analiza gjeopolitike përfaqëson një mjet të dobishëm në këtë kontekst, pasi merr parasysh parametrat gjeografikë, politikë, historikë, sociologjikë, kulturorë, demografikë dhe ekonomikë për të deshifruar kompleksitetin e rivaliteteve të pushtetit dhe shteteve në të cilat përfshihen faktorët fetarë. Rritja e rolit të fesë në jetën e përditshme, po ndikon në rrethanat politike, në kontekstin e erozionit të sovranitetit të shtetit dhe krizës me të cilën përballen ideologjitë kryesore laike, duke marrë parasysh se si ky proces ndikon në konfigurimet e ndryshme gjeopolitike kombëtare, rajonale dhe globale.

Vlerat liberale të shtetit laik  si dhe ndikimet potenciale të fesë në të, kanë ndezur debate dhe diskutime të ashpra nëpër botë. Me transformimin ekonomik e shoqëror të shteteve, këto debate deri në një masë janë zgjidhur,  duke ndarë mjaft qartë kompetencat e laicitetit të shtetit  si dhe çështjeve fetare, pa e ndikuar njëra tjetrën, por duke bashkëpunuar ndërmjet vete. Përdorimin e ideologjive të ndryshme fetare nga aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë që kërkojnë të arrijnë objektivat politike, gjeopolitike dhe influencave nga më te ndryshmet, e bëjnë gjithnjë e më e vështirë për t’u realizuar shteti laik apo shekullar.

Në këtë kontekst, ne do ta trajtojmë rajonin e Ballkanit Perëndimor, lidhur me ndikimin politik të feve kryesore të botës, të cilat duhet të shqyrtohet nga një këndvështrim ndërdisiplinor dhe të diskutohen ilustrime të ndryshme të rasteve mbi rolin gjeopolitik të Islamit, Krishterimit, Hinduizmit, Judaizmit apo dhe Budizmit. Për të ekzaminuar situata të ndryshme, në të cilat faktorët fetarë luajnë një rol në rivalitetet e pushtetit midis aktorëve të ndryshëm shtetërorë dhe jo shtetërorë dhe aftësinë për të ndikuar në proceset gjeopolitike, sot, nuk ka dyshim se fetë janë një nga faktorët që kontribuojnë gjithnjë e më shumë në formësimin dhe kushtëzimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Çdo fe, kudo është objekt i shfrytëzimit politik, për qëllime që nuk kanë të bëjnë me shpëtimin e shpirtit, por lidhen me pushtetin shtetëror, duke u larguar sa më shumë nga sfera e intelektit dhe e shpirtit”. Siç shkroi Graham Fuller: “Feja do të thirret gjithmonë kudo që të jetë e mundur për të nxitur publikun dhe për të justifikuar fushatat, betejat dhe luftërat e mëdha”, por “shkaqet, fushatat, betejat dhe luftërat nuk kanë të bëjnë me fetë” (Fuller, 2011). Në tekstin e tij “Feja kudër sekularizmit”(Religion vs. Secularism in Politics – Sr. Paul Strand, Washington Correspondent) shkruan kështu: “Çështja e fesë është bërë një nga faktorët më të rëndësishëm në përcaktimin politik dhe orientimit të votimit .

Se feja bëhet mjet i kontrollit të shtetit bashkëkohor nuk është gjë e panjohur për lexuesin, duke qenë se për dekada të tëra “kultet fetare” kanë qenë mjete të shteteve në formësimin e politikave sociale në Ballkan.

A ka mënyrë më të mirë për të promovuar qëllimet e dikujt ose politikës, sesa t’i veshësh ato me “petk fetar”. psh. në Ballkan, shumë e shohin Rusinë dhe Turqinë si binjakë identikë, të udhëhequr nga pushtete autoritare, duke i shfrytëzuar lidhjet kulturore dhe fetare me shoqëritë lokale duke sfiduar politikën dhe rendin Perëndimor për Ballkanin, të përcaktuar vitet 1990-ta, me qendër BE-në dhe NATO-n.

Vazhdon…

Go to TOP