Eric Poppe vizitoi MAShTI-n, informon për anëtarësimin në ONF
Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Eric Poppe, ka vizituar sot Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në kuadër të aplikimit për avancimin e statusit të Kosovës në ONF, nga anëtar i asociuar, në anëtar me të drejta të plota.
Poppe u prit nga Sekretarja e Përgjithshme, Fadile Dyla, dhe një delegacion i zyrtarëve të lartë në MAShTI, të cilët e informuan në lidhje me veprimet dhe hapat e ndërmarrë për plotësimin e kritereve për anëtarësim në ONF. Këtu përfshihet përfaqësimi i Kosovës në Qendrën Rajonale të Frankofonisë për Evropën Juglindore (CREFECO), pjesëmarrja aktive në aktivitetet e ONF-së, promovimi i mësimit të gjuhës frënge në shkollat tona etj.
“Mësimi i gjuhës frënge, si një ndër gjuhët më të rëndësishme në kontinentin evropian, hap dyer të shumta përmes të cilave nxënësit tanë mund të zhvillojnë potencialin e tyre në vendet frëngjishtfolëse, ndaj kjo gjuhë ka rëndësi dhe interes të veçantë në rrafsh nacional dhe botëror”, thuhet në njoftimin e Ministrisë .
Tutje, MAShTI njofton se në vazhdimësi inkurajon dhe është gjithnjë i gatshëm për mbështetjen dhe promovimin e gjuhës frënge dhe kulturës franceze në shkollat e Kosovës dhe më gjerë, duke iu bashkuar nismave të shumta për inkuadrimin e vendit tonë në instanca dhe organizata botërore në kuadër të integrimeve evropiane dhe më gjerë. /Kosova.info/