AKB-ja kundërshton udhëzimin e MINT për përcaktimin e kuotave të importit, paralajmëron rritje çmimesh dhe korrupsion
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024, të lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë (MINT), i cili përcakton rregullat dhe procedurat për administrimin e kuotave të importit.
Agim Shahini, Kryetari i AKB-së, e cilësoi këtë vendim si një hap prapa drejt një ekonomie të planifikuar, të ngjashme me sistemin e kaluar, që sipas tij, bie ndesh me parimet e tregut të lirë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“Kjo metodë i përket ekonomisë së planifikuar nga sistemi i kaluar, që është në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut,” tha Shahini.
Ai gjithashtu paralajmëroi se ky udhëzim do të çojë në rritje çmimesh për konsumatorët dhe do të inkurajojë korrupsionin brenda burokracisë, përmes procesit të marrjes së lejeve për importin e produkteve të caktuara në bazë të kuotizimit.
Në fund, AKB-ja i bëri thirrje MINT-it që t’i lërë bizneset e lira në një konkurrencë të hapur, pa ndërhyrjen dhe favorizimet për ndonjë operator ekonomik. /Kosova.info/