Atletico Madrid konfirmon afrimin e Alvarez nga Manchester City

Atletico Madrid ka transferuar sulmuesin argjentinas Julian Alvarez nga skuadra e Premier League, Manchester City, me një kontratë gjashtëvjeçare, ka njoftuar klubi i LaLiga të hënën.

Detajet financiare të transferimit nuk janë zbuluar nga asnjëra palë, por sipas mediave britanike marrëveshja kap vlerën e rreth 75 milionë eurove plus 20 milionë euro bonuse të mundshme.

“Sot me shumë emocione i them lamtumirë këtij klubi të mrekullueshëm. Ishin dy vite shumë të veçanta. Gjatë kësaj kohe, u rrita dhe mësova shumë si lojtar dhe si person”, ka shkruar  Alvarez në Instagram. “Do të jem gjithmonë krenar që kam qenë pjesë e kësaj familje. Manchester City do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. I uroj shumë suksese në të ardhmen dhe do të vazhdoj të mbështes klubin nga kudo që të jem”.

Alvarez i qe bashkuar Manchester City nga klubi argjentinas River Plate në vitin 2022 për 14 milionë funte, duke shënuar tridhjetë e gjashtë gola në 103 paraqitje për skuadrën e trajnerit Pep Guardiola. Ai ka fituar dy herë Premier League dhe një herë Champions League, FA Cup, Superkupën dhe Kupën e Botës për Klube. Gjithashtu, ai ka fituar Kupën e Botës në vitin 2022 me Argjentinën dhe Copa America këtë vit.

Go to TOP