Elon Musk i vë flakën internetit me mesazhin për vdekjen misterioze

Presidenti i kompanisë Tesla, Elon Musk ndezi një ‘stuhi zjarri’ në median sociale pasi sugjeroi se ai mund të vdesë në rrethana misterioze.

Teksa disa në Twitter nxituan në konkluzionin se ai ka frikë nga Clinton-ët, mesa duket ai i referohej një kërcënimi të mundshëm nga Rusia.

“Nëse do vdes në rrethana misterioze, ishte një kënaqësi që u njohëm,” shkroi Musk në Twitter, kompaninë që ka blerë së fundmi.

Kur nëna e tij, Maye Musk reagoi duke thënë: “Kjo nuk është për të qeshur”, ai u përgjigj: “Më vjen keq! Do bëjë më të mirën që të qëndroj gjallë”.

Shumë komentues sugjeruan se Musk mund të kishte frikë nga ish-presidenti Bill Clinton dhe e shoqja,ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, duke luajtur me teorinë konspirative se Clinton-ët ishin të përfshirë në vetëvrasjen e Jeffrey Epstein.

“A ke ndonjë gjë të ndyrë për Clinton-ët,” e pyeti strategu dixhital, Greg Price.

“Prit… çfarë di për Hillary Clinton,” pyeti edhe komediani Tim Young.

“Clinton” nisi të bëhet trend në Twitter, pjesërisht për shkak të postimit të Musk, duke mbledhur mbi 52 mijë mesazhe të dielën në mbrëmje.

Të tjerë iu referuan një mesazhi në Twitter nga John McAfee më 15 tetor të vitit 2020, në të cilin programuesi kompjuterik dhe prodhuesi i softuerit antivirus deklaroi se ai nuk kishte ndërmend të kryente vetëvrasje pasi u arrestua në Spanjë me akuzën e evazionit fiskal.

“Jam i kënaqur këtu. Kam miq. Ushqimi është i mirë. Gjithçka është mirë. Dijeni se nëse var veten në stil alla-Epstein, nuk do jetë faji im,’ shkroi McAfee.

McAfee u gjet i vdekur më 23 qershor 2021, i vetëvarur në qelinë e tij pak pasi Gjykata Kombëtare e Spanjës autorizoi ekstradimin e tij në SHBA.

Megjithatë, ndryshe nga McAfee dhe Epstein, Musk nuk është arrestuar dhe nuk është në burg. Nga konteksti, duket se Musk nuk i referohet familjes Clinton si një kërcënim potencial për jetën e tij, por qeverisë ruse.

Pak përpara postimit kriptik në Twitter, Musk citoi një mesazh nga Dmitry Rogozin, një ish-zëvendëskryeministër i Rusisë, i cili i dërgoi një deklaratë për mediat ruse duke dënuar faktin se Musk kishte dërguar satelitët e tij Starlink për të mundësuar që batalioni ‘nazist’ Azov të futej në internet.

“Nga dëshmia e komandantit të kapur të brigadës së 35-të të Forcave të Armatosura të Ukrainës, kolonel Dmitry Kormyankov, rezulton se terminalet e internetit të kompanisë satelitore Starlink të Elon Musk u janë dorëzuar militantëve të batalionit nazist Azov nga helikopterët ushtarakë,” shkroi Rogozin, sipas një përkthimi të postuar nga Musk.

“Sipas informacioneve tona, dorëzimi i pajisjeve Starlink është bërë nga Pentagoni. Elon Musk pra është i përfshirë në furnizimin e forcave naziste në Ukrainë me pajisje komunikimi ushtarake. Dhe për këtë, Elon do të mbash përgjegjësi si i rritur, pa marrë parasysh se do të bësh si budalla,” shkruan Rogozin.

“Fjala ‘nazist’ nuk ka atë kuptim që ai mendon se ka,” shkroi Musk.

Kompania e tij Starlink në fakt ka lidhur ukrainasit me internetin në mesin e pushtimit rus.

Batalioni Azov është një njësi e Gardës Kombëtare të Ukrainës me qendër në Mariupol në rajonin e detit Azov. Ata kanë luftuar kundër forcave ruse dhe separatistëve pro-rusë që në vitin 2014. Rusia e ka përmendur vazhdimisht këtë batalion si justifikim për pushtimin e Ukrainës me qëllim ‘denazifikimin’.

Në mars të vitit 2015, Andriy Diachenko, një zëdhënës i brigadës, tha për gazetën amerikane ‘USA Today’ se 10 deri në 20 përqind janë nazistë, por ideologjia ‘nuk ka të bëjë fare me ideologjinë zyrtare të Azov’.

Zelensky e ka mohuar prerazi pretendimin se batalioni Azov nxit nazizmin.

“Regjimenti Azov nuk është një formacion vullnetar, por pjesë e Gardës Kombëtare,” tha Zelensky javën e kaluar. “Ata janë pjesë e ushtrisë zyrtare të shtetit tonë. Kushdo që donte të përfshihej në politikë, është larguar nga ky regjiment. Ata që vendosën të shërbenin në Gardën Kombëtare, u bënë pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës”.

Çdo ekstremizëm i mëparshëm në mesin e atyre radhëve niset nga fakti se batalioni Azov ka qenë një organizatë vullnetare vite më parë, por shumë gjëra kanë ndryshuarqë atëherë, tha presidenti ukrainas.

Kritikë të shumtë të Kremlinit kanë vdekur në mënyra të dhunshme dhe të dyshimta. Më e famshmi, Alexei Navalny, një rival politik i presidentit rus, Vladimir Putin u sëmur në gusht të vitit 2020, pasi u ekspozua ndaj një agjenti nervor të epokës sovjetike në një helmim të dyshuar. Kremlini ka mohuar përfshirjen në atentat.

Duket se Musk ka të ngjarë t’i referohej një kërcënimi nga Rusia, jo ndonjë kërcënimi të supozuar nga Clinton-ët.

Go to TOP