Dosja e Prokurorisë: I akuzuari për aksidentin ku vdiqën 5 persona, mund të dënohet deri në 12 vjet burgim

Erton Musliu, sipas dosjes së Prokurorisë, akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, me pasojë vdekjen.

Në aktin akuzues , shihet se Prokuroria e Ferizajt kualifikimin juridik ndaj tani të akuzuarit, e ka dërguar në Departamentin për Krime të Rënda, pasi në aksidentin e datës 6 qershor 2021 kishin vdekur 5 persona.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Prokuroria e Ferizajt aktin akuzues e ka bazuar në nenin 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Andaj dënimi për këtë vepër penale është prej 3 deri në 12 vjet burgim.

Erton Musliu, sipas Prokurorisë me 6 qershor në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare Komuna e Ferizajt, i akuzuari duke drejtuar automjetin e “Audi A8”, me dashje eventuale shkel ligjin për rregullat e trafikut rrugorë, dhe duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vij të plotë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë, veturë kjo që ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, dhe në këtë aksident në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë katër persona ndërsa personi i pesë vdes disa ditë më vonë në QKUK në Prishtinë.

Sipas aktit akuzues, në këtë aksident lëndime kanë pësuar edhe dy persona tjerë.

Go to TOP