Kosova inauguron Konsullatën e Përgjithshme në Poloni

Kosova ka inauguruar Konsullatën e Përgjithshme në Poloni. E pranishme në këtë ceremoni ka qenë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Polonia si një shtet mik, ka një potencial të madh të bashkëpunimit ekonomik në eksport dhe import, shkëmbim të studentëve, ekspertëve, përvojave në proceset integruese dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke e falënderuar Poloninë për mbështetjen e dhënë ndër vite për Kosovën.

Në njoftimin për media, thuhet se Gërvalla ka vënë në pah rolin e madh të dy figurave të rëndësishme polake, ish-kryeministrit Mazowietzky dhe Papa Gjon Palit II për përkrahjen e tyre në ditët e vështira të okupimit serb.

Po ashtu, Gërvalla ka falënderuar Poloninë edhe për mbështetjen e saj të madhe  për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Kurse, nënsekretarja e Shtetit të Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Ministrja Moscicki-Dendys  përgëzoi Republikën e Kosovës për ceremoninë dhe shprehu vullnetin dhe përkushtimin e Polonisë për të intensifikuar marrëdhëniet bilaterale në fushat me interes të përbashkët.

Tutje thuhet se Moscicki-Dendys  tha se krijimi i Misionit të Kosovës paraqet një gurthemel të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis Polonisë dhe Kosovës.

Ministrja polake vlerësoi lart ndihmën e Kosovës për Ukrainën dhe orientimin e saj të qartë perëndimor, duke ofruar mbështetjen polake në shumë fusha e sidomos në shtimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe ndihmën në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe integrimin në BE.

Go to TOP