Dëshmitari thotë se në 1998-ën ka tentuar të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis, ka thënë se në vitin 1988 ka tentuar të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

Këtë ai e kishte bërë, pasi, sipas tij, iu kishin thënë se të njëjtit janë kryesorët e UÇK-së, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kur iu lexua një pjesë e deklaratës së tij në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) se ‘‘Prokurori të ka pyetur kush ishte në atë kohë Adem Demaçi, dhe ti je përgjigjur “Në atë kohë ata thonin që ishte kryesori, thonin është mbi UÇK-në”, do të ishe përsëri përgjigjja juaj kjo’’, ai tha se “në atë kohë ashtu e thoshin, në atë kohë.’’

Ai po ashtu tha se njerëzit i kishin thënë se Adem Demaçi ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së, andaj edhe kishte shkuar në Prishtinë.

Tutje, ai tha se edhe kishte shkuar në fshatin e Jakup Krasniqit për ta takuar atë së bashku me nënën e tij, por që nuk e kishin gjetur dhe se për çështjen e tyre s’kishin biseduar me të.

Ai edhe për deklarimin e tij para prokurorisë se Krasniqi ishte mbi ushtrinë, tha se e kishte thënë se kishte kuptuar se ai ishte zëdhënës i UÇK-së.

Dëshmitari u përgjigj edhe në disa pyetje nga trupi gjykues, por që shumica e tyre kishte përmbajtje të redaktuar.

Në këto rrethana, dëshmitari i gjashtë ka përfunduar dhënien e dëshmisë së tij dhe ka filluar dëshminë dëshmitari i shtatë në këtë çështje, i cili po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e ZPS-së, fillimisht në sesion privat.

Go to TOP