Çollaku: Hapja e urës mbi Ibër në koordinim me ndërkombëtarët
Fatmir Çollaku, njohës i sigurisë, n magazinën informative “InfoPlus”, ka folur për situatën e sigurisë në vend, për vizitën e zyrtarit të lartë të NATO-s në Kosovë, por edhe për situatën në veri të vendit.
Çollaku, për vizitën e zyrtarit të lartë të NATO-s, por edhe për zyrtarë të tjerë në Kosovë, tha se krejt kjo është në funksion të menaxhimit të situatës në vend nga ana e strukturave tona shtetërore, që të mos marrin hapa të njëanshme në një situatë shumë delikate, siç është hapja e urës mbi lumin Ibër.
“Kam thënë edhe herëve të tjera se ura nuk mund të hapet pa bashkëpunim e koordinim me miqtë ndërkombëtarë e në veçanti më NATO-n, sepse bëhet fjalë për një zonë shumë sensitive që mund të ketë provokime, të cilat pastaj mund t’i kushtojë shumë Kosovës e më gjerë”, deklaroi Çollaku.
Ai tutje shtoi se vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë përçojnë mesazhin se duhet veprime të koordinuara, që të ndërmerren masa e veprime të matura, që të mos ketë provokime, në mënyrë që të mos përshkallëzohet masa e sigurisë në veri.