Çitaku: VV demonizon sektorin privat, në anën tjetër Bislimi për këshilltar e ka djalin e kryetarit të naftëtarëve

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, derisa ka komentuar vendimin që të mos jepet prona për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” nga ana e pushtetit qëndror, ka vënë në pah hipokrizinë e këtij të fundit.

Çitaku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në diskursin publik e kanë demonizuar sektorin privat, derisa të njëjtit kanë afërsi me këta të fundit. Nënkryetarja e PDK-për ta ilustruar këtë pohim, shembull e ka marrë emërimin e Dillon Berjanit, djalit të kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjanit, në pozitën e këshilltarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

“Tokën e Kosovës po doni me ia dhanë një biznesi në Kosovë, po thojnë. Demek ne, i kemi shpallë luftë hedonismit kapitalist. Në diskursin e tyre publik, VV ka demonizuar sektorin privat i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, e në praktikë, djali i kryetarit të naftarëve të Kosovës është këshilltar i ZVKM Bislimi”, ka shkruar ajo.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se Berjani është këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, por ende një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Këto raportime erdhën pasi i njëjti deklaroi pasurinë në Agjencinë Anti-Korrupsion. Në deklarimin e tij, u përfshinë një banesë në vlerë prej 250 mijë euro të trashëguar, një veturë në vlerë prej 15 mijë euro të trashëguar, 2000 euro aksione në dy kompani të ndryshme dhe dy paga.

Go to TOP