Çeku: Viti 2025 ishte pozitiv për futbollin e Kosovës

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar vitin 2025 si një vit pozitiv për futbollin e Kosovës, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025”.

Çeku theksoi se përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar rezultate që dëshmojnë se sot është një ekip konkurrues në garat evropiane.

“Rezultatet e Përfaqësueses së Kosovës, Kombëtares së Kosovës, tregojnë se sot jemi një ekip konkurrues në Evropë. Paraqitjet dinjitoze në garat kualifikuese dëshmojnë se futbolli kosovar ka hyrë në një fazë serioze të zhvillimit,” u shpreh Çeku.

Ai shtoi se kualifikimi në fazën play-off për Kampionatin Botëror përfaqëson një arritje të rëndësishme dhe shprehu shpresën për realizimin e ëndrrës së kualifikimit.

“Tani që jemi në play-off për Botëror, uroj që të arrijmë kualifikimin dhe të jemi pjesë e Kampionatit Botëror,” tha ai.

Ministri në detyrë vlerësoi edhe zhvillimin e kampionatit vendor, duke theksuar se niveli i garës është rritur dhe se kampionati është bërë më interesant dhe më konkurrues.

Një sukses të veçantë, Çeku e cilësoi paraqitjen e klubit FC Drita në garat evropiane, duke vlerësuar përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Paraqitja e FC Dritës ishte një sukses i veçantë, duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garat ndërkombëtare,” përfundoi Çeku.


Go to TOP