Baraliu mbështet Zeqirin: mos i bini në qafë një të riu të përkushtuar, fajin kërkojeni te politikanët
Opinionisti Bleron Baraliu ka reaguar ashpër ndaj kritikave të drejtuara ndaj Evetar S. Zeqirit, duke e mbrojtur atë si një profesionist të shkëlqyer dhe shembull të një patrioti të përkushtuar. Zeqiri, i edukuar në ShBA dhe i kthyer në Kosovë, sipas Baraliut, përfaqëson brezin e ri të specialistëve që po luftojnë për zgjidhje në një kohë të vështirë për rrjetin energjetik të vendit.
“Fajin për mungesën e zhvillimit nuk e ka një i ri me cilësi të larta si Evetari, por politikanët miopë që kanë ngulfatur Kosovën në qorrsokak politik, ekonomik dhe diplomatik,” ka deklaruar Baraliu.
Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dekurajojnë profesionistët si Zeqiri, të cilët kanë lënë mundësi premtuese jashtë vendit për të kontribuuar në Kosovë. Duke adresuar problemet si mungesa e rrugëve adekuate, mungesa e energjisë dhe shërbimeve bazike, Baraliu tha se zgjidhja vjen përmes votës së drejtë dhe jo përmes fajësimeve të padrejta.
Në fund, ai shprehu mbështetje të plotë për Zeqirin, duke e konsideruar atë personin më të kualifikuar dhe të nevojshëm për detyrën që mban. /Kosova.info/
