Banorët e Krushës në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik
Krusha sot nuk është vetëm një simbol i mbijetesës dhe ringritjes, por edhe një udhërrëfyes drejt një të ardhmeje të gjelbër e plot jetë. Një histori suksesi që shkruhet çdo ditë me punë, përkushtim dhe vision. Përmes punës së palodhshme dhe respektit për natyrën, ky komunitet po shndërrohet në një shembull të gjallë të qëndrueshmërisë, duke lënë pas një trashëgimi edhe më të pasur për gjeneratat që vijnë.
Nga një simbol i sfidave të luftës dhe viteve të vështira të mbijetesës, Krusha e Madhe po shndërrohet në një shembull të përkushtimit ndaj mjedisit ekologjik. Pa harruar të kaluarën, iniciativat e shumta për ruajtjen e hapësirave publike nuk mungojnë.
“Motivi veç kur e shohim fotografinë e Ukshin Hotit, që ka lindur në këtë fshat e ku janë të varur 241 persona për lirinë e Kosovës, e fati që ka lindur edhe Bajram Curri të jep shumë motiv për ata dëshmorë e martirë që kanë rënë për lirinë e Kosovës, sa më shumë të punojmë për vendin. Kemi vuajtur shumë si popull, e meritojmë të punojmë, të ecim përpara sa më shumë”, tha Nehat Duraku – aktivist.
“Krusha është ringritur sikurse feniksi nga hiri. Sot jemi në ditët mbase më të mira të Krushës dhe të kombit, por vazhdohet të punohet dhe duhet të punohet edhe për mbajtjen e ambientit, për shkak se edhe ndryshimet klimatike e kanë bërë të veten. Andaj, çfarëdo që bëhet, ne e konsiderojmë që është e pamjaftueshme”, tha për RTK, Selami Hoti, administrator i fshatit.
Mes njerëzve që i kanë përjetuar etapat e vështira drejt transformimit është edhe mërgimtari Sheip Zeqiri, i cili, si shumë të tjerë, kthehet gjithmonë për të kontribuar në vendlindje.
“E kanë marrë një iniciativë që e mbajnë fshatin, punojnë natë e ditë, e ne mërgimtarët pak nga pak duhet t’i ndihmojmë këtë ambient kaq të bukur. Edhe këta, pa u lodhur, duke punuar natë e ditë, e kanë sjellë fshatin sikur të ishte në Zvicër. Edhe ne, kur të vijmë prej atje, kur e shohim aq mirë, aq bukur, edhe ne ndihemi të kënaqur”, tha Sheip Zeqiri – mërgimtar.
“Janë edhe bashkëmërgimtarët e fshatit që kontribuojnë në mënyra të ndryshme, sepse nuk mundet gjithsecili të vijë dhe të kontribuojë si Nehati, ama gjithkush mund ta gjejë mënyrën për të kontribuar në mënyrën e vet”, tha Irfan Ramadani – ciceron i muzeut.
Si përfundim, rruga e Krushës drejt zhvillimit ekonomik dhe ekologjik tregon se rritja lokale dhe mbrojtja e mjedisit mund të bashkëjetojnë në harmoni. Duke u bazuar në vlerat e trashëgimisë së tyre, banorët po krijojnë një model të suksesshëm të ekonomisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
