Kosova U20 shënon fitore bindëse ndaj Gjeorgjisë në Kampionatin Evropian
Kombëtarja U20 e Kosovës në hendboll ka regjistruar një fitore bindëse ndaj Gjeorgjisë me rezultat 29:21, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të “Kampionati Evropian i EHF-së për meshkuj U20, Divizioni I”.
Hendbollistët kosovarë kanë dominuar takimin që nga minuta e parë, duke kontrolluar lojën gjatë gjithë ndeshjes. Në pjesën e dytë, Kosova ka mbajtur vazhdimisht një epërsi të sigurt, falë një sulmi shumë efikas dhe një mbrojtjeje të organizuar mirë.
Më të dalluarit në repartin ofensiv kanë qenë Olsi Mulaj dhe Drijon Istrefi, të cilët kanë realizuar nga shtatë gola secili. Suad Pajaziti ka shtuar pesë gola, ndërsa Amar Muqolli ka kontribuar me katër realizime.
Paraqitje shumë të mirë ka pasur edhe portieri Olt Kabashi, i cili ka regjistruar plot njëmbëdhjetë pritje, duke qenë një nga lojtarët më meritorë për suksesin e Kosovës. /Kosova.info/
