Më 16 korrik hidhet shorti i FIBA Europe Cup, klubet kosovare mësojnë rivalët
Klubet kosovare do t’i mësojnë më 16 korrik kundërshtarët e tyre në edicionin 2026/27 të FIBA Europe Cup, kur në Munih do të hidhet shorti për sezonin e ri të garës evropiane.
Kampionia e Kosovës, Trepça, do të jetë pjesë e Vazos 1, ndërsa nënkampioni Bashkimi është vendosur në Vazon 3. Të dy skuadrat e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën e grupeve.
Ndërkohë, Peja do ta nisë rrugëtimin nga faza kualifikuese. Skuadra pejane ndodhet në Vazon 1 dhe kundërshtarin do ta mësojë nga Vazoja 2, ku ndodhen Neftchi SC (Azerbajxhan), Samobor (Kroaci) dhe Dinamo Bucharest (Rumani).
Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në muajin shtator me sistem vajtje-ardhje, ndërsa fituesit do të sigurojnë një vend në fazën e grupeve.
Edicioni 2026/27 do të sjellë një risi të madhe, pasi FIBA Europe Cup do të zgjerohet në 48 skuadra, duke ofruar më shumë hapësirë për klubet pjesëmarrëse.
