Hoti: Serbia ende s`është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit
Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, për Familje dhe për Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se deklarata të tilla janë dëshmi se Serbia ende nuk është shkëputur nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe”, ka shkruar Hoti.
Ai shtoi se kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por është edhe dëshmi se Serbia vazhdon të mbetet e lidhur me politikat kriminale të së kaluarës.
“Sot, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, theksoi Hoti. /Kosova.info/
