Murat: Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut mbështeten në histori dhe vlera të përbashkëta
Deputeti turk në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka bërë të ditur se në Kuvend ka pritur ish kryetarin e Kuvendit të Turqisë, Prof. Dr. Mustafa Şentop, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Murat tha se gjatë takimit u riafirmuan lidhjet historike, vëllazërore dhe miqësore ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se këto marrëdhënie shkojnë përtej bashkëpunimit politik dhe mbështeten në historinë, kulturën dhe trashëgiminë e përbashkët.
Ai veçoi gjithashtu prejardhjen rumeliane të Mustafa Şentop, duke e cilësuar atë si një vlerë që i jep rëndësi të veçantë këtij takimi, ndërsa vlerësoi kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në fund, Salih Murat ritheksoi përkushtimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për thellimin e dialogut ndërparlamentar me Turqinë dhe shprehu kënaqësinë për pritjen e delegacionit turk në vend.
