Mungesa e kushteve zbraz fshatin e njohur të Hasit

Nga rreth 6 mijë banorë sa numëronte dikur, sot Zymi i Hasit të Prizrenit po frymon në heshtje. Ky fshat piktoresk, i pasur me histori dhe traditë, pothuajse gjatë gjithë vitit mbetet me vetëm rreth 300 banorë.

Pamundësia për të siguruar jetesën në një terren guror, pa ujë e pa zhvillim të bujqësisë, ka detyruar valë të tëra banorësh ta lëshojnë vendlindjen në kërkim të një jete më të mirë në mërgim.

Mërgimi i vazhdueshëm ka goditur më së rëndi të ardhmen e këtij lokaliteti fëmijët. Numri i nxënësve ka prekur pikën më të ulët historike, duke sjellë si pasojë të pashmangshme mbylljen e shkollës së mesme të fshatit. Tashmë aty ka mbetur vetëm shkolla tetëvjeçare, si dëshmi e zbrazjes demografike, raporton RTKLive.

Në nëntor të vitit 2013, Presidenca e Kosovës shpalli Zymin e Prizrenit fshat me vlera të veçanta,me synim mbrojtjen e trashëgimisë dhe promovimin kulturor në nivel lokal e ndërkombëtar. Por sot,pa investime konkrete dhe pa strategji për ta mbajtur rininë, ky fshat me vlera të rralla rrezikon të mbetet vetëm një muze i hapur, i vizituar vetëm gjatë muajve të verës. /Kosova.info/


Go to TOP