Deschamps: Spanja është favorite
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka vlerësuar maksimalisht Spanjën në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar kombëtaren iberike si favorite për këtë përballje.
Tekniku francez theksoi se Spanja ka dëshmuar cilësinë e saj në vitet e fundit dhe se statusi i kampiones në fuqi të Evropës e bën atë skuadrën për t’u mposhtur.
“E njohim shumë mirë Spanjën. Ata janë kampionët në fuqi të Evropës dhe jemi përballur me ta edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve verën e kaluar. Para nisjes së Botërorit shumë na konsideronin ne favoritë, por favoritja e vërtetë është Spanja”, deklaroi Deschamps për “Movistar TV”.
Trajneri i “Gjelave” vlerësoi cilësinë e kundërshtarit, duke theksuar se skuadra e Luis de la Fuentes ka shumë armë të forta dhe mbetet një nga ekipet më të kompletuara në futbollin evropian.
“Kjo ndoshta u shton atyre edhe më shumë presion për shkak të asaj që kanë arritur, edhe pse humbën finalen e Ligës së Kombeve ndaj Portugalisë. Kanë një skuadër të shkëlqyer dhe shumë pika të forta”, u shpreh ai.
Në fund, Deschamps nënvizoi rëndësinë e sfidës, duke e cilësuar atë si një duel mes dy prej kombëtareve më të mira në botë.
“Mbi të gjitha, kjo është një gjysmëfinale e Kupës së Botës dhe niveli i futbollit është jashtëzakonisht i lartë”, përfundoi trajneri francez.
