Littbarski për Nagelsmann: I bëri të gjithë lojtarët më të dobët
Ish-kampioni i botës me Gjermaninë, Pierre Littbarski, ka kritikuar ashpër ish-trajnerin e kombëtares gjermane, Julian Nagelsmann, pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës.
Littbarski, pjesë e skuadrës gjermane që fitoi Botërorin në vitin 1990, ka thënë se Nagelsmann nuk ka arritur t’i përmirësojë lojtarët kryesorë të ekipit.
“Nuk pata ndjesinë se trajneri ynë i bëri lojtarët kryesorë më të mirë. Merrni shembull Joshua Kimmich, ai vazhdimisht ndryshonte pozicion. Çështja është se si e bën çdo lojtar individualisht më të fortë. Nagelsmann i bëri të gjithë lojtarët më të dobët”, ka deklaruar Littbarski.
Gjithashtu ai ka kritikuar eksperimentet e trajnerit, duke thënë se kombëtarja nuk duhet të përdoret si një vend për prova.
“Një kombëtare nuk është laborator eksperimentesh. Nuk mund të bëhesh kampion bote me një qasje ku ruan thjesht ekuilibrin mes punës dhe jetës private. Trajneri duhet të jetë shembull”, ka shtuar ai.
Littbarski e ka kritikuar edhe përgatitjen e Nagelsmann, duke thënë se ai nuk kishte ndjekur mjaftueshëm gara të rëndësishme ndërkombëtare.
Ai ka kërkuar më shumë karakter dhe personalitet nga lojtarët gjermanë, duke thënë se skuadra ka nevojë për futbollistë që dinë të luftojnë dhe të imponojnë respekt ndaj kundërshtarëve.
Sipas tij, problemet e Gjermanisë kanë nisur pas vitit 2014, kur kjo kombëtare fitoi Kupën e Botës, dhe tashmë nevojitet një ndryshim i madh për të rikthyer mentalitetin e fituesit.
