Projekte milionëshe pa mbulesë

Mbi 18 milionë euro është vlera e kontratës për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. Por, sipas raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, kur kjo kontratë u nënshkrua, në Ligjin e Buxhetit për këtë projekt ishin të parapara vetëm rreth 1 milion e 550 mijë euro.

Kjo është një nga gjetjet kryesore të auditimit të performancës për vitin 2025, i cili konstaton se Komuna e Prishtinës ka hyrë në obligime kontraktuale shumë më të mëdha sesa mbulesa e miratuar buxhetore.

Ky është projekti më i madh i evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Sipas auditorit, kontrata prej mbi 18 milionë eurosh u nënshkrua në një kohë kur në buxhet ishin të planifikuara vetëm rreth 1.5 milion euro.

Raporti evidenton edhe raste të tjera. Sipas auditorit, Komuna kontraktoi edhe ndërtimin e krahut të rrugës ‘Muharrem Fejza – Prekazi’, me vlerë rreth 394 mijë euro, ndonëse për këtë projekt nuk ishte ndarë asnjë euro në buxhetin e vitit 2025.

Po ashtu, furnizimi me automjete për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Urgjente, në vlerë prej 176 mijë eurosh, u realizua edhe pse në buxhet ishin planifikuar vetëm 50 mijë euro.

Auditori thekson se kjo situatë lidhet edhe me miratimin me vonesë të buxhetit komunal për vitin 2025, megjithatë vlerëson se hyrja në obligime pa mbulesë të plotë buxhetore bie në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe rritë rrezikun e vështirësive në financimin e projekteve, vonesave në realizimin e tyre dhe krijimit të borxheve ndaj operatorëve ekonomikë.

Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që para nënshkrimit të kontratave shumëvjeçare të sigurohet mbulesë e plotë financiare e miratuar në Ligjin e Buxhetit.

Për këtë çështje, RTK kërkoi intervistë dhe u dërgoi pyetje zyrtare Komunës së Prishtinës. Por, as pas më shumë se një javësh, komuna nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Komuna e Prishtinës ka marrë 25 rekomandime nga auditori i cili ka dhënë opinion të kualifikuar, duke konstatuar se pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Go to TOP