Hajra reagon për rrugën me emrin e Dobrica Ćosićit: “Hiqeni atë tabelë, korrigjojeni këtë turp”

Ish-kandidati i LDK-së për deputet, Naim Hajra, ka reaguar pas publikimit të një fotografie të një rruge që mban emrin e Dobrica Ćosićit duke shprehur indinjatë dhe duke kërkuar heqjen e kësaj tabele.

Hajra ka thënë se është e papranueshme që në Kosovë të ketë një rrugë me emrin e një figure të lidhur me nacionalizmin serb, në një vend që ende mban plagët e luftës.

“Nuk po muj me ju besu syve të mi! Si ka mundësi që në zemër të Kosovës, në tokën që ende i mban plagët e luftës, të gjendet një rrugë që mban emrin e Dobrica Ćosićit, njeriut që konsiderohet një prej ideologëve më të rëndësishëm të nacionalizmit serb, si rezultat i të cilit ne përjetuam gjenocid”, ka shkruar Hajra.

Ai ka theksuar se emrat e rrugëve duhet t’u kushtohen atyre që kanë sakrifikuar për lirinë dhe ndërtimin e Kosovës.

“Kjo tokë është vaditë me gjakun e fëmijëve, grave, burrave dhe dëshmorëve tanë. Emrat e rrugëve të Kosovës duhet t’i mbajnë ata që sakrifikuan për lirinë tonë, jo figura që për shumë qytetarë lidhen me ideologji që prodhuan urrejtje, shtypje dhe vuajtje”, ka deklaruar ai.

Në fund, Hajra ka kërkuar nga institucionet që të ndërhyjnë dhe ta korrigjojnë këtë situatë.

“Hiqeni atë tabelë. Korrigjojeni këtë turp. Për respekt ndaj së kaluarës sonë, për nder të dëshmorëve dhe për dinjitetin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP