Banorët e fshatit Talinoc ankohen se tensioni i rrymës është i dobët
Në fshatin Talinoc të Ferizajt, banorët që jetojnë aty po ankohen për tensionin e dobët të energjisë elektrike. Ata thonë se ky tension po ua prish të gjitha pajisjet shtëpiake.
Një pjesë e banorëve të fshatit Talinovc i Muhaxhirëve tash e një kohë të gjatë po ballafaqohen me problemin e rrymës elektrike.
Ata thonë se tensioni është i dobët dhe se po u shkakton dëme në pajisjet shtëpiake.
“Problem kemi me rrymë për shkak që pajisjet nuk i furnizon mjaftueshëm. Jemi detyruar të marrim makinë më të vogël për shkak se këtë të madhen me sasi nuk mundemi me përdorë . Ashtu edhe bojleri në vend që të ngrohet 1 orë e gjysmë dy ai i bënë 6 orë apo 7 orë”, tha Beqir Lubovci, banor.
”Ne si banorë të kësaj lagjeje kemi shumë problem me rrymë të dobët. Shkaktar i rrymës së dobët është dëmtimi i pajisjeve si televizori, shporeti dhe të gjitha pajisjet që nevojiten për shtëpi”, tha Adrian Sadriu, banor.
Përfaqësuesi i fshatit thotë se kanë bërë disa peticione që kërkojnë një trafo, por që asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje
“Për trafon jemi këmbëngulës. Patjetër nuk ka tjetër rrugëzgjidhje nëse nuk bëhet një trafo në ato dy lagjet atje lart. Kjo është trafo e vjetër 50 vite kurse e kemi 700 deri në 900 metra larg. Lagjet janë larg trafos shumë problem kemi ne familjarët e atyre dy lagjeve”,tha Njazi Behluli, përfaqësues i fshatit Talinovc i Muhaxherëve.
Lidhur me këtë problem deri në këto momente RTK nuk kemi marrë përgjigje nga KEDS.
E banorët shpresojnë se do të gjendet një zgjidhje sa i përket stabilizimit të rrymës.
Banorët e fshatit Talinoc të Ferizajt ankohen se tensioni i rrymës është shumë i dobët.