Bajrami: Sjellja e Kurtit ka dëmtuar raportet me SHBA-të dhe po gëzon Serbinë e Rusinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për degradim të raporteve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas saj, deklaratat e fundit të kryeministrit, ku la të kuptohet se Ambasada Amerikane në Prishtinë është e ndarë nga politika e jashtme e Uashingtonit, përbëjnë një sjellje joserioze dhe të papranueshme.

“Me siguri, edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka menduar se po bën shaka me një fqinj të rëndomtë. Ky është niveli i seriozitetit të Kurtit, i cili ka uzurpuar zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë,” deklaroi Bajrami.

Ajo theksoi se ndërprerja e procesit të Dialogut Strategjik me SHBA-të është një alarm serioz për Kosovën, ndërsa akuzoi Kurtin se nuk ka kontribuar asnjëherë për ndërtimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.

“Degradimi i raporteve Kosovë–SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por jo ish-opozitën. Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar dhe do të angazhohet pa ndalë që raportet miqësore e diplomatike me SHBA-të t’i ruajmë e t’i thellojmë tutje,” u shpreh ajo.

Deputetja e LDK-së kujtoi se Kosova, për shkak të qasjes së qeverisë aktuale, nga mesi i vitit 2023 gjendet nën sanksione të Bashkimit Evropian, nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje të re në pesë vitet e fundit dhe nuk ka avancuar në anëtarësime ndërkombëtare.

“E vetmja punë që ka bërë Kurti në këto vite është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe ndarja e rreth 300 milionë eurove tenderë njëburimor. Qytetarët do ta dënojnë këtë sjellje që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje,” përfundoi Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP