Bahri Gashi kritikon votimin e Slavko Simiqit: “Mjaft me folklorizëm patriotik dhe demagogji”

Ish-shefi i grupit të asambleistëve së AAK-së në Prishtinë, Bahri Gashi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike, duke vënë në shënjestër votimin e Slavko Simiqit dhe qasjen e institucioneve ndaj Listës Serbe, shkruan Kosova.info.

Në një postim publik, Gashi shkruan se dje u pa qartë dallimi mes atyre që duan të mësojnë dhe atyre që vazhdojnë, siç thotë ai, me folklorizëm patriotik-patetik. Sipas tij, deklaratat e tipit “nuk bën Lista Serbe” e më pas “bën Lista Serbe”, apo etiketimet si terroristë dhe arsyetimet me obligime kushtetuese, përfunduan në një rezultat krejt tjetër, votimin e Slavko Simiqit.

Gashi thekson se pas këtij votimi, Simiqi po paraqitet si “burrë i mirë”, ndërsa sipas tij, Kryeministri e cilëson Nenad Rashiqin si më të mirin. Ai e quan këtë qasje hipokrite dhe kërkon që të lihet anash demagogjia dhe folklorizmi patriotik.

Në postimin e tij, Gashi shprehet se përpjekjet për t’i idealizuar përfaqësuesit serbë janë të kota, duke theksuar se ata, sipas tij, gjithmonë do ta kenë orientimin nga Beogradi. Ai shton se edhe përfaqësuesit e minoriteteve të tjera, në shumicë, nuk janë në vijën e parë për interesat e Kosovës, por veprojnë sipas interesit personal.

Sipas Gashit, Kosova ka obligim t’i përmbushë marrëveshjet me minoritetet, por kjo nuk do të thotë se duhet të shitet një realitet i rremë. Ai thekson se Serbia arrin të gjejë bashkëpunëtorë edhe mes shqiptarëve, por se, sipas tij, nuk ka serb në Kosovë që jo vetëm të mos tradhtojë, por edhe të dënojë hapur krimet e Serbisë.

Në fund, Gashi shpreh skepticizëm se mes Simiqit dhe Rashiqit mund të ketë ndonjë dallim thelbësor në raport me interesat e shqiptarëve, duke e përmbyllur reagimin me një ton të fortë kritik.

Go to TOP