Ambasadori Hamiti viziton Institutin e Trashëgimisë në Sharjah, diskuton bashkëpunim kulturor dhe akademik
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Institutin e Emiratit të Sharjah për Trashëgimi, ku është pritur nga Kryetari i institutit, Dr. Abdulaziz Al Muselam, së bashku me ekipin e tij.
Gjatë takimit, palët diskutuan perspektivat e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave akademike dhe të njohurive profesionale. Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë për zbatimin e programeve dhe iniciativave të përbashkëta që synojnë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike.
Nikoqiri vlerësoi rolin e rëndësishëm që Instituti i Emiratit të Sharjah për Trashëgimi luan në kuadër të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO duke e cilësuar atë si një aktor kyç në ruajtjen dhe avancimin e trashëgimisë kulturore në nivel global.
Vizita e ambasadorit Hamiti u pasqyrua edhe nga portali qendror i Emiratit, Sharjah 24 duke konfirmuar rëndësinë dhe interesimin institucional për këtë takim dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore. /Kosova.info/
