Ahmetxhekaj përmend buxhetin: E pamundur të kemi program çfarë synojmë
Ka përfunduar mbledhja e komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë së cilës është diskutuar për raportet vjetore financiare të RTK-së. Për të njëjtën rend dite, komisioni do të mblidhet javën e ardhshme.
Ndërsa gjatë diskutimit drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se mungesa e buxhetit financiar ka ndikuar në cilësinë e skemës programore.
“Buxheti ka mbetur me 8,9 milionë euro dhe e kemi pasur të pamundur ta kemi program shumë më të mirë çfarë synojmë”, ka thënë ai.
Ahmetxhekaj ka përmendur se tash transmetuesi publik ka 744 punëtorë të rregullt, ndërkaq në vitin 2021 kanë qenë në listë të pagave 1,039.
Ai ka marrë kundërpërgjigje nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti në këtë drejtim duke thënë se s’duhet krenuar me “rregullsinë e vendosur për uljen e kontratave të përkohshme”.
“Pozicioni i RTK-së në tregun medial në Kosovë nuk është përmirësuar, por përkundrazi. Fokusi juaj s’duhet të jetë reduktimi i shpenzimeve por fokusi juaj është cilësia, pasuria e diversiteti programor”, ka thënë Hoti.
Kurse, duke replikuar me anëtarët e bordit të RTK-së, Hoti ka theksuar se janë përgjysmuar të hyrat dhe se ky bord e ka degraduar këtë institucion.
Në përgjigjen e tij ndaj kritikave të deputetit Hoti, Boletini ka theksuar se një gjë e tillë është vlerësim politik. Ai ka deklaruar se është rritur cilësia programore përkundër numrit të punëtorëve.
Ndërsa Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kritika për lidhjen e kontratave me kompensim.
“Gjendemi në një situatë ku duhet të lutemi për mjete. Përderisa RTK nuk ka financim të qëndrueshëm, RTK nuk do të kishte kontrata me kompensim”, tha Ahmetxhekaj.
Boletini: RTK po ballafaqohet me borxhet e vjetra
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në komisionin Buxhet, Punë dhe Transfere, ka përmendur si problematikë financiare të transmetuesit publik trashëgimin e borxheve nga vitet paraprake.
“RTK është ballafaquar edhe këtë vit me borxhet e vjetra. Gjatë vitit 2023 janë tërhequr nga përmbaruesit përmes vendimeve të gjykatave 65 mijë e 625 euro, e cila sigurisht e ka ndikimin e vet. Kurse në vitin 2024 gjendja është edhe më keq, deri më tani i kemi 189 mijë e 715 euro”, ka thënë ai.
“Në vitin 2023 të hyrat e përgjithshme të RTK-së kanë qenë 10 milionë e 670 mijë euro, ndërkaq shpenzimet e përgjithshme 10 milionë e 547 mijë euro. Për pagesën e stafit janë shpenzuar 8 milionë e 151 mijë euro, që do të thotë në krahasim me vitin paraprak janë 150 mijë euro më pak. Ndërkaq për shpenzimet operative e programore janë 1 milionë e 455 mijë euro”, ka deklaruar Boletini.
Ndërkaq Gazmend Rexhepi, zyrtar financiar i RTK-së ka thënë se pasuritë e përgjithshëm të institucionit janë mbi 4 milionë euro.
“RTK ka një pasqyrë pozitive prej 123 mijë euro”, tha Rexhepi.
Ky komision është duke trajtuar kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të MFPT-së si dhe raportet vjetore financiare të RTK-së dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në komision përveç kryetarit të Bordit janë prezentë edhe anëtarët, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj si dhe përfaqësues të tjerë të transmetuesit publik.