Ahmeti: Rrëshqitjet e dheut po shkaktohen nga pakujdesia njerëzore – Siguria duhet të vihet në rend të parë

Eksperti i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti, ka reaguar pas dy rasteve të njëpasnjëshme të rrëshqitjeve të dheut në Prishtinë duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën si po zhvillohen punimet ndërtimore në vend.

Një ditë më parë, një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar si pasojë e shembjes së dheut në një vendpunishte në lagjen “Veternik”, ndërsa sot një tjetër rrëshqitje ndodhi afër një kantieri ndërtimi në lagjen “Velania”, gjithashtu në kryeqytet.

Ahmeti thekson se rrëshqitjet e dheut, ndonëse klasifikohen si fatkeqësi natyrore, shpesh janë rezultat i ndërhyrjes dhe pakujdesisë njerëzore. Ai kërkon që të shqyrtohet me seriozitet nëse po respektohen rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban gjatë lejimit të ndërtimit në vendbanimet e Kosovës.

“Ka disa kritere elementare që duhet të jenë obligative për të gjitha ndërtimet. Siguria e qytetarëve dhe ruajtja e pronave të tyre duhet të jetë gjithmonë në rend të parë,” thekson Ahmeti duke apeluar për përgjegjësi më të madhe institucionale dhe profesionale në sektorin ndërtimor. /Kosova.info/


Go to TOP