AGK: Thirrja e Presidentes Osmani për hetime ndaj mediave – precedent i rrezikshëm dhe i papranueshëm
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj thirrjes publike të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hetime ndaj mediave, veçanërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala. Në një postim të bërë sot, Presidentja Osmani i ka bërë thirrje organeve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë që të hetojnë median pas publikimit të një lajmi lidhur me vrasjen e një personi mbrëmë në Ferizaj.
AGK-ja e konsideron këtë thirrje si një precedent të rrezikshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se akuzat e përsëritura nga Presidentja, se mediat mund të jenë duke punuar për Serbinë, janë të papranueshme dhe veçanërisht të rrezikshme kur vijnë nga kreu i shtetit.
AGK-ja i ka bërë thirrje Presidentes Osmani që, në rast pakënaqësish me raportimin mediatik, t’i drejtohet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, duke respektuar proceset demokratike dhe të drejtën e medias për të bërë punën e saj, sipas Kodit të Etikës. /Kosova.info/