Abdixhiku: Bukoshi, kryeministri i lirisë dhe shtetformues i Kosovës

Në mbledhjen komemorative të mbajtur në nderim të Dr. Bujar Bukoshit, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e vlerësoi atë si një prej figurave më të shquara të historisë politike dhe shtetformuese të Kosovës duke e cilësuar si “Kryeministrin e Lirisë”.

“Dr. Bujar Bukoshi nuk ishte vetëm një politikan i dalluar, një lider në kohë të turbullta, por ishte një njeri i kohës së vet dhe përtej saj – një mjek, një intelektual, një vizionar, një shtetformues”, tha Abdixhiku në fjalimin e tij para familjarëve, bashkëveprimtarëve dhe përfaqësuesve institucionalë.

Ai kujtoi kontributin e jashtëzakonshëm të Bukoshit si kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil duke theksuar rolin e tij kyç në lobimin ndërkombëtar dhe ruajtjen e frymës së rezistencës në kohët më të vështira për popullin shqiptar të Kosovës.

“Bukoshi nuk e kishte Republikën siç e kemi sot – por kishte popullin. Dhe me popull, kishte idealin tonë të përbashkët për liri”, u shpreh Abdixhiku duke nënvizuar përkushtimin dhe qetësinë me të cilën Bukoshi e përballoi barrën historike të udhëheqjes në mërgim.

Kryetari i LDK-së theksoi se figura e Bukoshit është e pandashme nga historia e kësaj partie dhe nga vet historia e shtetndërtimit të Kosovës.

“Sot, me dhimbje në zemër, por me krenari në kujtim, ne e vendosim emrin e tij në panteonin e figurave që e kanë mbajtur mbi supe barrën më të madhe të historisë sonë”, përfundoi Abdixhiku duke e quajtur Bujar Bukoshin një nga burrështetasit e kohëve të vështira dhe një simbol të shërbimit ndaj atdheut. /Kosova.info/


Go to TOP