Abdixhiku: Masakra e Mejës ndër ngjarjet më të dhimbshme të historisë tonë, të mbahet përgjegjës secili që ka kryer krime

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Masakra e Mejës është ndër ngjarjet më të dhimbshme të historisë shqiptare, ndaj ka kërkuar që “të mbahet përgjegjës secili që ka kryer krime”.

Këtë deklaratë ai e ka bërë sot në 23-vjetorin e kësaj masakre, kur bashkë me deputetë dhe asamblistë të partisë bënë homazhe te Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”.

Para mediave, i pari i LDK-së tha se “ditët dhe ngjarjet si kjo e sotmja janë shtyllë për të rikujtuar dhimbjen e popullit dhe plagët e pashëruara”.

“23 vjet më parë, këtu 376 civilë të pafajshëm prej të cilëve 36 fëmijë të gjithë nën moshën 18-vjeç janë vrarë në mënyre mizore prej forcave serbe, të cilët më pas këta trupa i kanë bartur në Serbi për t’i varrosur në një varrezë masive dhe kjo tregon në vetë natyrën e krimit serb në Kosovë dhe jo vetëm por edhe organizimin e shtetit serb në luftën e Kosovës për të fshehur këtë krim”.

“Këto ditë si e sotmja dhe ngjarje si e sotmja janë shtyllë për rikujtuar se për çdo veprim tonin të tanishëm, por mbi të gjitha shtyllë rikujtuese e dhimbjes së madhe që populli i Kosovës i kanë si plagë të pashëruara të përhershme”, u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se është obligim politik dhe patriotik që të zbardhet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur.

Homazhe në kompleksin memorial në Meje kanë bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të civilëve që u masakruan nga forcat serbe.

23 vjet më parë në Mejë të Gjakovës, forcat serbe vranë 376 civilë të pafajshëm. Kjo është ndër masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë luftës.


Go to TOP