Kurti për opozitën: Përdorën kuorumin si armë për të na prerë mandatin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në adresimin e tij tha se opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për t’ia ndërprerë mandatin qeverisës.
Kurti tha se do të vazhdojnë me punët e mira në përmbushje të zotimeve të tyre.
“Kjo është mbledhja e parë fizike që prej kur si qeveri na u shtua mbiemri në detyrë, pasi opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për të na e prerë mandatin që qytetarët na e dhanë me 51.1% të votave para vetëm 4 muaj e gjysmë. Por, ne nuk do të ndalemi kemi vazhduar me punët e mira në përmbushje të zotimeve tona”, tha ai.
Në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti komentoi edhe bllokimin e minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Ai tha se tashmë minatorët janë liruar dhe se shkaqet e avarisë në nënstacione janë duke u hetuar.
“Sipas saj, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt Stantërg, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ekipi i Trepçës, i përkrahur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë maksimalisht për ta rikthyer furnizimin. Në kohën kur është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve, përmes shkallëve emergjente, nga ora 03:00 e mëngjesit deri në ora 08:00, kanë dalë 29 prej tyre. Ndërkaq, pjesa tjetër, përveç atyre që kanë qenë në kujdestari, kanë dalë në ora 14:00, pasi ekipet teknike kanë bërë lidhje alternative emergjente për ta rikyçur linjën 35 kilovolt nga nënstacioni Trepça në Stantërg. Të gjithë punëtorët minatorë janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që shkaqet e avarisë në nënstacion janë duke u hetuar nga organet kompetente”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë, Kurti kërkoi reagim të bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Serbia po vazhdon me metodat e saj të spastrimit etnik Preshevë, Medvegjë, Bujanocë në njërën anë me mohim të të drejtave, politika diskriminuese, përjashtuese ndaj shqiptarëve në anën tjetër me bllokim të mbështetjes prej anës sonë. Me pamundësinë e transferimit të mjeteve të ndara nga qeveria e Kosovës fqinji ynë verior me sjellje abnormale po i lë rreth 3650 nxënës pa libra falas më shumë 750 studentë pa bursa më shumë se 950 bujq pa mbështetje sikurse edhe shkolla e organizata e medie mes tyre dhe 90 fëmijë jetim. Këtë breng serioze unë tashmë ia kam përcjell shefes së politikës së jashtme dhe sigurisë të BE-së Kaia Kalas, ndërkaq që edhe sot përsërisim thirrjen që bashkëria ndërkombëtare të veproj menjëherë“, tha ai.
