Gashi: Ekspozita bazohet në burime të verifikuara

Shkëlzen Gashi ka reaguar pas debatit të nxitur rreth ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e hapur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, duke sqaruar se ajo paraqet 49 nga 105 masakra të dokumentuara deri më tani dhe se për listën e viktimave janë mbështetur në burime ekzistuese, përfshirë “Librin e Kujtimit të Kosovës” të Humanitarian Law Center.

Sipas tij, ekspozita, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA, paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), nga ajo në Likoshan-Qirez më 28 shkurt 1998 deri te masakra në familjen Bala më 12 qershor 1999.

“Kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në familjen Bala (12 qershor 1999). Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe do të përfshihen edhe në uebfaqen “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të lansohet së shpejti”, ka thënë Gashi në reagimin e tij.

Gashi ka theksuar se për përpilimin e listës së viktimave janë mbështetur në “Libër Kujtimi i Kosovës” të Humanitarian Law Center, organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić.

“Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas tij, në këtë listë, për disa raste, individë të vrarë figurojnë si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes kanë qenë civilë të paarmatosur dhe nuk kanë bërë rezistencë. “Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”.

Ai ka shtuar se kjo mbetet lista më e besueshme për dokumentimin e viktimave, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve.

Në fund, organizatorët u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të hartojnë sa më parë një listë zyrtare të viktimave, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet, duke theksuar përkushtimin për të nderuar të gjitha viktimat civile të luftës së fundit në Kosovë.

“ADMOVERE dhe INTEGRA u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të Kosovës që një listë e të vrarëve, e cila kërkon angazhim të jashtëzakonshëm, të hartohet sa më parë, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale. Njëkohësisht, ADMOVERE dhe INTEGRA mbeten të përkushtuara në punën e tyre për të nderuar të gjitha viktimat civile gjatë luftës së fundit në Kosovë”, përfundon reagimi i Gashit. /Kosova.info/


Go to TOP