Lushi: Prilli 2026, moment historik për ta rizgjedhur Hashim Thaçin President të Kosovës
Aktivisti i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka reaguar lidhur me përfundimin e pritshëm të procesit gjyqësor ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëakuzuarve të tij në Gjykatën Speciale në Hagë duke e cilësuar prillin e vitit 2026 si një moment historik për Kosovën.
Sipas Lushit, mandatit të Presidentes aktuale Vjosa Osmani-Sadriu i skadon afati në prill 2026, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit, të cilin ai e përshkruan si të stërzgjatur dhe të padrejtë, ka përfunduar në aspektin e provave dhe dëshmive që në dhjetor 2025 duke lënë vetëm fjalët përmbyllëse dhe verdiktin formal.
Ai thekson se akuzat e ngritura mbi bazën e raportit të Dick Marty-t, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, kanë rënë dhe nuk janë provuar në gjykatë. Sipas tij, aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij ka dështuar, ndërsa drejtësia është vonuar pa arsye.
Lushi kritikon ashpër institucionet e Kosovës duke thënë se gjatë mandatit të Presidentes Osmani, as Presidenca, as Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, as Kuvendi dhe as partitë politike, përfshirë PDK-në, nuk kanë bërë përpjekje serioze për mbrojtjen institucionale dhe politike të ish-Presidentit dhe bashkëakuzuarve të tij.
“Shteti ka vegjetuar turpshëm, në vend se të aktivizohej me dinjitet për të mbrojtur shtetasit e vet dhe luftën çlirimtare,” shprehet ai.
Në këtë kontekst, Uk Lushi bën thirrje që në prill 2026 Kuvendi i Kosovës ta nominojë dhe ta rizgjedhë Hashim Thaçin President të Republikës së Kosovës duke e konsideruar këtë veprim si mbyllje të ciklit të padrejtësisë dhe si një akt pajtimi politik dhe institucional.
Sipas tij, një mandat i fundit i Presidentit Thaçi do t’i hapte rrugë një etape të re, ku Kosova do të duhej të punonte për themelimin e një Gjykate për Krimet e Luftës në Prishtinë dhe për ndjekjen penale të autorëve serbë, malazezë, romë dhe të etnive të tjera që kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Në fund, Lushi ngre pyetjen nëse klasa politike e Kosovës do të ketë “diturinë, mençurinë dhe vizionin” për t’i kuptuar pasojat juridike, historike dhe politike të një vendimi të tillë duke theksuar se rizgjedhja e Hashim Thaçit do të ishte, sipas tij, në interes të Kosovës dhe të popullit shqiptar. /Kosova.info/
