Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve: Institucionet pranë qytetarëve, situata drejt stabilizimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët e prekur dhe ka vlerësuar angazhimin e institucioneve lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatës.

Pas takimit me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Osmani theksoi se vizita kishte për qëllim mbështetjen e qytetarëve dhe vlerësimin nga afër të dëmeve të shkaktuara nga reshjet intensive.

“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës dhe me komunën, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pothuajse janë ndalur dhe shpresojmë që nuk do të ketë dëme të mëtejme. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë – nga kryetari i komunës dhe institucionet lokale, tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe çdo qytetar që ka treguar solidaritet”, deklaroi Osmani.

Ajo bëri të ditur se ka familje të prekura nga kjo situatë dhe se institucionet do të jenë pranë tyre gjatë gjithë procesit të rimëkëmbjes.

“Natyrisht që ka familje të cilave u janë dëmtuar vendbanimet. Do të punojmë bashkërisht që kjo situatë të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre. Kryetari Gjini na njoftoi për masat e ndërmarra dhe për planet që do të hartohen për kalkulimin dhe kompensimin e dëmeve. Çdo sfidë është e tejkalueshme kur punojmë bashkë”, shtoi Osmani.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cilësoi vizitën e presidentes si shumë të rëndësishme dhe njoftoi se situata është drejt stabilizimit.

“Kemi kaluar dy-tri ditë goxha të vështira, por sot niveli i ujërave ka rënë dhe nuk po shihet rrezik për përkeqësim në ditët në vijim. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.

Ai konfirmoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve, të cilët janë strehuar në banesa sociale ose tek familjarët e tyre.

“Kemi pasur disa evakuime. Një pjesë e qytetarëve janë vendosur në objektet tona të banimit social, ndërsa të tjerët janë strehuar tek të afërmit. Jemi kujdesur për ushqim dhe, në disa raste, edhe për veshmbathje”, u shpreh Gjini.

Sipas tij, ekipet komunale janë duke punuar intensivisht në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura, ndërsa nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. /Kosova.info/


Go to TOP