Krasniqi: VV po prodhon krizë dhe polarizim për të përfituar politikisht

Albert Krasniqi nga Demokracy Plus ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje duke theksuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme po përdoren tri tema artificiale për të mobilizuar elektoratin. Sipas tij, debatet mbi bllokadën financiare, Listën Serbe dhe votimin e diasporës janë skema të qëllimshme për të krijuar polarizim dhe për të fajësuar partitë opozitare.

“Këto tema prodhohen nga VV-ja si veprime jashtëligjore, të paketuar si ‘për të mirën publike’, ndërkohë që qëllimi i vërtetë është të provokohet kundërshtimi dhe të akuzohen partitë opozitare. Po fabrikohen kriza politike për t’i shitur si beteja patriotike duke krijuar pasiguri dhe jostabilitet për përfitim politik,” tha Krasniqi.

Ai shtoi se në vend të zgjidhjeve, po prodhohet krizë; në vend të përgjegjësisë, po prodhohet fajësim; dhe në vend të stabilitetit, po prodhohet polarizim. Krasniqi theksoi nevojën për një qasje më konstruktive dhe fokus në problematikat reale të qytetarëve, larg lojërave politike. /Kosova.info/


Go to TOP