Refuzohet ankesa e VV-së dhe Sveçlës ndaj Art Merkojës: Gjithçka është e pastër dhe e drejtë sipas ligjit
Komisioni kompetent ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Art Merkoja.
Përmes një reagimi publik, Merkoja ka konfirmuar vendimin duke theksuar se procesi ka qenë i drejtë dhe në përputhje me ligjin. Ai njoftoi se ka paraqitur gjithashtu një ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi duke theksuar rëndësinë e integritetit dhe etikës personale.
“Gjithçka është e pastër dhe e drejtë sipas ligjit. Unë kam bërë edhe një ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Integriteti personal dhe edukata janë të shenjta!”, ka deklaruar Merkoja.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e anëtarëve të LDK-së dhe qytetarëve duke theksuar se kjo përkrahje po e forcon besimin në një fitore të afërt të partisë.
“Falënderoj të gjithë anëtarësinë e LDK-së dhe qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme që më ofruan. Fitorja e madhe e LDK-së po vjen!”, ka përfunduar Merkoja. /Kosova.info/
