Sylvinho dhe Gjimshiti thonë se synohet fitore ndaj Andorrës

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka theksuar se përballja me Andorrën nuk do të jetë e lehtë, duke e cilësuar kundërshtarin si skuadër të organizuar dhe me mbrojtje të fortë.

Së bashku me kapitenin Berat Gjimshiti kanë folur para mediave në prag të ndeshjes ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Shqipëria aktualisht gjendet në vendin e dytë në grup me një pikë më shumë se sa Serbia, e cila ndeshet me Letoninë. Të dyja skuadrat e kanë nga një ndeshje me Anglinë që është lideri i grupit. 

“Andorra është një ekip që mbrohet shumë mirë. Do jetë ndryshe nga ndeshja në Tiranë. Kundërshtari pëson pak gola, është ekip i vështirë që lufton për çdo top dhe centimetër në fushë. Diferencat në futboll janë zvogëluar. Ne do të luajmë me të njëjtin shpirt gare si ndaj Anglisë. Jemi një ekip i ekuilibruar, që ruan qetësinë”, është shprehur trajneri brazilian. “Ekipi do të jetë i njëjtë si gjithmonë, përsa i përket shpirtit të garës dhe mënyrës se si është ndërtuar, si menaxhohet dhoma e zhveshjes dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me ekipin. E njëjta gjë siç i kemi nisur eliminatoret ndaj Anglisë. Patjetër që mund të ketë ndryshime. Mund të ketë një sulmues më tepër, ndërtimi i skuadrës mund të jetë pak më ndryshe. Por kjo varet nga karakteristikat e ekipit me të cilin përballemi”.

Ndërkohë, kapiteni Berat Gjimshiti është shprehur se ekipi është i përqendruar maksimalisht dhe synon vetëm fitoren.

“Kemi ardhur të gjithë për një qëllim: për të marrë tri pikët. E kemi parë Andorrën në shtëpi kundër Anglisë dhe Serbisë, i ka vënë në vështirësi këto ekipe. E respektojmë kundërshtarin, është ndeshje e rëndësishme. Do japim gjithçka për tri pikët, që të vazhdojë ëndrra për në ‘play-off’ të Botërorit”, ka thënë ai. 


Go to TOP