Shoqëria civile solidarizohet me redaktorët e RTK-së pas largimit arbitrar

Organizatat e poshtështënuara të shoqërisë civile shprehin solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pas njoftimit se janë larguar nga moderimi i magazinave informative që kanë drejtuar.

Gazetarët Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj-Nushi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa dhe Valon Bajrami kanë njoftuar se largimi i tyre është bërë “në mënyrë arbitrare dhe antiligjore”.

Shoqëria civile vlerëson se vendimi përbën një ndërhyrje të radhës në pavarësinë e transmetuesit publik. Largimi i redaktorëve vjen pak kohë pasi ata kanë sfiduar përfaqësues të pushtetit me pyetje kritike në emisionet e tyre dhe kanë ngritur zërin për vonesat tre javore të pagave.

RTK ka qenë shpesh objekt i ndërhyrjeve politike, ndër vite, dhe në vitet e fundit edhe për shkak të shkurtimeve të buxhetit dhe ndikimeve politike nëpërmjet emërimeve në menaxhment.

Organizatat kërkojnë nga menaxhmenti i RTK-së që të anulojë vendimin për largimin e redaktorëve dhe çdo ndryshim në të ardhmen të bëhet në dialog me stafin duke respektuar kontratat e punës.

“Transmetuesi publik ka një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve. Gazetarët dhe stafi i RTK-së duhet të punojnë pa presion politik dhe financiar”, theksohet në deklaratë.

Shoqëria civile çmon guximin e redaktorëve për të sfiduar vendimet arbitrare dhe u ofron përkrahje për të ndjekur rrugët ligjore për të rikthyer vendin e tyre në ekran.

Ndër organizatat që e kanë nënshkruar këtë deklaratë janë: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, Flutura Kusari, OJQ Pishtarët, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Rrjeti i Grave të Kosovës, Lëvizja FOL, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti i Kosovës për Drejtësi, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, Community Building Mitrovica, CEL Kosova, Democracy Plus (D+), Kosova – Women 4 Women, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), YMCA Movement, ÇOHU/Preportr, Instituti Sekhmet, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS. /Kosova.info/

Go to TOP