Prishtina mikpret Konferencën e 41-të të EYCA – Rinia evropiane bashkohet në zemër të Kosovës
Prishtina është shndërruar këtë javë në qendrën e bashkëpunimit rinor evropian duke mikpritur me krenari Konferencën e 41-të të EYCA – European Youth Card Association. Ky aktivitet ndërkombëtar, i organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes Departamentit të Rinisë, ka mbledhur në kryeqytet përfaqësues nga mbi 30 vende të Evropës.
Vedat Jashari nga Departamenti i Rinisë në MKRS theksoi rëndësinë e kësaj konference duke e cilësuar atë si një hap të madh drejt forcimit të rrjeteve rinore dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e politikave për të rinjtë.
“Gjatë ditëve të konferencës, pjesëmarrësit diskutuan ide novatore, ndanë përvoja suksesi dhe ndërtuan ura të reja bashkëpunimi që synojnë fuqizimin e të rinjve, rritjen e mundësive për mobilitet, zhvillim profesional dhe përfshirje sociale. Konferenca u shndërrua në një platformë frymëzuese ku u hodhën themelet për projekte të reja me ndikim të gjerë në të gjithë kontinentin”, tha Jashari.
Prania e EYCA në Prishtinë u cilësua si një dëshmi e qartë e potencialit të madh që ka rinia e Kosovës, si dhe një afirmim i rolit të saj në proceset integruese evropiane. Për më tepër, kjo vizitë përforcon pozicionin e Kosovës si një vend aktiv dhe i angazhuar në rrjetet evropiane të bashkëpunimit rinor.
“Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për frymën pozitive dhe bashkëpunuese. Bashkë do të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për rininë,” u tha ai në përmbyllje të konferencës. /Kosova.info/
