“Dodona” rikthehet me shkëlqim – rinovimi i teatrit të fëmijërisë në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë emocionin dhe gëzimin për fillimin e rinovimit të Teatrit “Dodona”, një nga institucionet kulturore më të dashura për gjeneratat e fëmijëve të viteve ’90 në kryeqytet.
“Dodona nuk ishte thjesht teatër – ishte dritë në vitet e errëta,” ka deklaruar Rama duke kujtuar rolin e pazëvendësueshëm të këtij institucioni në periudhat më të vështira të Kosovës, kur arti dhe kultura ishin forma e vetme e shpresës dhe rezistencës.
Për shumë fëmijë të asaj kohe, Dodona ishte i vetmi vend ku lejohej ëndrra – një hapësirë e magjisë teatrale dhe botëve imagjinare, në një kohë të madhe mungesash dhe ndalimesh. Edhe sot, ai mbetet një pikë e rëndësishme referimi për kulturën dhe kujtesën kolektive të Prishtinës.
Rinovimi i Teatrit “Dodona” është pjesë e angazhimit të Komunës për të ruajtur dhe përmirësuar hapësirat kulturore duke i kthyer ato në qendra të gjalla për brezat e rinj. Sipas Kryetarit Rama, ky investim nuk është vetëm në infrastrukturë, por në kujtime dhe në të ardhmen e fëmijëve të qytetit.
“Sepse kujtimet e bukura meritojnë të jetojnë gjatë. Sepse fëmijët e sotëm meritojnë një Dodonë të re – plot jetë, plot dritë,” përfundon Rama duke theksuar se ky projekt është një homazh për të kaluarën dhe një premtim për të ardhmen.
Rinovimi i teatrit pritet të përfundojë në muajt në vijim duke e kthyer Dodonën në një vend të rilindur të kulturës dhe fëmijërisë në zemër të Prishtinës. /Kosova.info/
