Orkestra Mbretërore e Bruneit interpreton “Mora fjalë” në nderim të Kosovës
Kënga emblematike “Mora fjalë” është interpretuar në zemër të Brunei Darussalam nga Orkestra Mbretërore e këtij vendi duke sjellë emocion dhe nderim për historinë dhe sakrificën e Kosovës.
Kjo performancë e veçantë përfaqëson një akt të fuqishëm simbolik të respektit dhe miqësisë ndërkombëtare, ku kultura shqiptare u bë pjesë e një skene të veçantë mbretërore në Azinë Juglindore.
Interpretimi i “Mora fjalë” nga muzikantët e Orkestrës Mbretërore jo vetëm që dëshmon fuqinë universale të muzikës, por edhe nderon rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Ky akt përçoi një mesazh të thellë për rolin e kulturës si urë lidhëse mes kombeve.
“Mora fjalë” vazhdon të jetë një thirrje e gjallë e kujtesës historike dhe një simbol që tejkalon kufijtë, këtë herë duke prekur zemrat në një cep të largët të botës. /Kosova.info/
