Çeku: “Kurthi i Shërbimit Sekret” – dëshmi për implikimin e zyrtarëve në arrestimin e Thaçit
Gazetari hulumtues Fitim Çeku ka deklaruar se ka siguruar dëshmi që lidhin zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe eksponentë politikë me një skandal të madh, të cilin ai e quan “Kurthi i Shërbimit Sekret”.
Sipas Çekut, ai dhe kolegu i tij Arbnor Buzhala janë përballur me përpjekje për bllokimin e medias së tyre, Gazeta NewBorn, për shkak të hulumtimeve të tyre mbi prokurorin Jack Smith dhe grupin e Milan Radojiciqit në veri të Kosovës. Ai ka dërguar një email zyrtarëve amerikanë, duke nënvizuar se këto veprime ishin një përpjekje për ta ndalur gazetarinë investigative.
Çeku pretendon se posedon prova dhe përgjime që zbulojnë prapaskenat e arrestimit dhe aktakuzës së Hashim Thaçit. Ai thekson se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe zyrtarët e lartë amerikanë janë në dijeni të këtyre provave dhe se veprimet ligjore priten së shpejti.
“Nuk mund të publikoj ende provat, pasi presim dritën jeshile nga autoritetet amerikane”, thekson Çeku duke aluduar gjithashtu në mundësinë e deklasifikimit të dosjeve të FBI-së lidhur me këtë rast. /Kosova.info/
