470 Vjet nga botimi i “Mesharit”, Miftari: Vepra që hodhi themelet e gjuhës shqipe në letërsi dhe kulturë
Ambasadori i Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, përkujtoi sot 470-vjetorin e botimit të parë të librit në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Gjon Buzukut, duke theksuar rëndësinë e kësaj vepre si një gur themeli i identitetit kulturor, gjuhësor dhe religjioz shqiptar.
Në një postim përkujtimor, ambasadori Miftari ndau fragmente nga libri i tij, Letra e Identiteteve I (Humanistët e Filobiblistët), ku analizohet ndikimi historik dhe kulturor i “Mesharit”. Sipas tij, kjo vepër, botuar në 1555, jo vetëm që përmbushi një boshllëk të thellë për mungesën e teksteve liturgjike në shqip, por edhe hodhi themelet e një tradite letrare dhe gjuhësore që vazhdon të jetë burim frymëzimi.
“Meshari” u botua si një përpjekje për të ndriçuar mendjet e shqiptarëve të kohës dhe për të lidhur komunitetin arbëror me ritin kishtar në gjuhën amtare. Kjo ndërlidhje mes kulturës, religjionit dhe gjuhës shqipe kishte për qëllim të ruante identitetin kombëtar dhe besimin e popullit përballë sfidave të reformacionit dhe pushtimit osman.
Miftari theksoi se përkthimet e Buzukut nga latinishtja ishin një akt i guximshëm që dëshmonte kulturën e lartë të gjuhës shqipe, ndërsa nënvizoi se botimi i “Mesharit” është dëshmi e vazhdimësisë së traditës kulturore dhe letrare shqiptare, pavarësisht fragmentaritetit dhe mungesës së dokumenteve më të hershme.
Sipas tij, “Meshari” nuk është vetëm një vepër fetare, por një përpjekje madhore për të ruajtur lidhjen e shqiptarëve me Kishën Katolike, duke kultivuar identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor. Kjo vepër, e cila mishëron përpjekjet për mbijetesë dhe ndriçim të popullit shqiptar, mbetet një gur themeli për trashëgiminë tonë kombëtare. /Kosova.info/
