Wigemark: Në Kosovë, shërimi i plagëve të luftës është një detyrë e jona e përditshme

Lars-Gunnar Wigemark, në një dëshmi për përvojën e tij si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se në Kosovë, shërimi i plagëve të luftës është një detyrë e tyre e përditshme.

“Përcaktimi i fatit të personave të zhdukur është një detyrë komplekse, e vështirë dhe shpesh shumë e ndjeshme. Por, ne jemi të përkushtuar si Mision për të mbështetur të drejtën themelore të anëtarëve të familjes për të ditur se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”.

Kështu ka shpjeguar Lars-Gunnar Wigemark në një dëshmi për përvojën e tij si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas tij, EULEX është një mision i shumë-anshëm. Madje të njëjtin e quan edhe mision me shumë përgjegjësi “magjepsëse dhe unike”.

“Një shembull konkret i vlerës së shtuar të mandatit të Misionit u bë i qartë për mua në mesin e nëntorit 2020 kur mësova se pas vitesh punë të palodhur dhe falë përdorimit të pamjeve ajrore, ekspertët tanë, së bashku me kolegët e tyre nga Instituti i Kosovës për Mjekësia Ligjore, Komiteti Ndërkombëtar për Kryqin e Kuq (KNKK) dhe Komisioni i Qeverisë Serbe për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje njerëzore në Kizevak, një vend i madh guroreje në Serbinë jugore”.

Siç ka komentuar ai 21 pas luftës në Kosovë, familjet e këtyre personave të zhdukur më në fund do ta dinin të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.

“21 vjet është një kohë e gjatë, një kohë shumë e gjatë që një prind, partner apo një i afërm të përballet me të panjohurën. Fatkeqësisht, kjo nuk është e pazakontë në Ballkanin Perëndimor. Në Bosnje dhe Hercegovinë, ku më parë kam shërbyer si Përfaqësues Special i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së, familjet e rreth 6500 personave të zhdukur janë ende në pritje të përgjigjeve, ashtu si në Kosovë ku janë më shumë se 1600 persona të zhdukur”.

Sipas tij, kërkimi i të zhdukurve pas një konflikti të armatosur është një proces i dhimbshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë.

Sipas tij ekspertët e EULEX kanë kryer rreth 680 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke rezultuar deri më tani në identifikimin e 332 personave të zhdukur.

“Ekspertët tanë të mjekësisë ligjore janë shumë aktivë këtu në Kosovë”.

“Megjithatë, si BE ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë progres në çështjen e personave të zhdukur”, shprehet ai.

Go to TOP