Shtufi: Fraksionet në LDK, një dëshmi e demokracisë së brendshme që i mungon partive të tjera

Debati i fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), i nxitur nga kërkesa e Avdullah Hotit për hapësirë demokratike brenda partisë, ka sjellë reagime të shumta në skenën politike të Prishtinës. Sipas publicistit Pal Shtufit, fraksionet brenda një partie nuk duhet parë si përçarje, por si element që dinamizon dhe forcon organizimin politik.

“LDK ka dëshmuar vazhdimisht një nivel të lartë të demokracisë së brendshme. Fatkeqësisht, asnjë parti tjetër nuk e ka këtë kulturë politike,” shprehet ai, duke theksuar se asnjë vendim nuk kalon pa u shqyrtuar në kryesi dhe struktura tjera të partisë.

Shtufi i bën thirrje partive të tjera që të ndjekin këtë model, duke krijuar hapësira për debat të brendshëm dhe shmangur praktikat ku liderët partiakë sillen si “bosa”. “Nëse dëshironi të mësoni demokracinë e brendshme, atëherë përballuni me të,” përfundon ai.

Këto zhvillime ngrenë një debat më të gjerë mbi standardet demokratike brenda partive politike në Kosovë dhe mbi nevojën për rritjen e hapësirës për diskutime të lira dhe të hapura. /Kosova.info/


Go to TOP