Serbia reklamon armatimin kinez që e mori në mënyrë sekrete, Vuçiq shoqërohet nga Dodiku

Në aeroportin e Batajnicës në Serbi ka filluar ekspozita e pajisjeve ushtarake ku po ekspozohet edhe sistemi kinez i mbrojtjes ajrore FK-3, i cili arriti në Serbi përmes një operacioni sekret, më 10 prill.

Në këtë ekspozitë do të marrë pjesë edhe president serb Aleksandar Vuçiq, si dhe anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Ekspozita do të prezantojë ushtrinë tokësore të Serbisë, forcat ajrore dhe mbrojtjen ajrore.

Për blerjen e armëve kineze nga Serbia në kohën kur në Ukrainë ka luftë u krijuan shqetësime nga Perëndimi se po kërcënohet paqja në Ballkan.

Më 2020, SHBA-ja kishte paralajmëruar kundër blerjes së sistemit kinez për mbrojtje ajrore. Atëbotë, zyrtarët amerikanë kishin deklaruar se nëse Serbia vërtet dëshiron t’i bashkohet BE-së dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet të ketë armë në përputhje me standardet perëndimore.

Në Batajnicë, ku tani Serbia ka bazën kryesore ushtarake ajrore, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të vrarë në luftë në Kosovë.

Go to TOP