Policia me plan operativ për sigurinë e qytetarëve në natën e Vitit të Ri

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në funksion të ruajtjes dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme  të qytetarëve më 31 dhjetor, natën e Vitit të Ri.

Nga zyra për media e Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se tashmë kanë marrë masat e duhura të sigurisë në pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Departamenti për Operacione i Policisë ka hartuar një Urdhër të veçantë operativ i cili parasheh: Mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në tërë territorin e RKS-së, Shtimin e masave të sigurisë, Rritjen e vigjilencës dhe prezencës policore nëpër ambiente të ndryshme ku mund të ketë aktivitete festive, si dhe menaxhimin e trafikut rrugor. Gjithashtu janë ndërmarr masa të duhura të sigurisë në Pikat Kufitare dhe në Aeroport, marr për bazë fluksin e madh dhe lëvizjen e shtuar të bashkatdhetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Tutje, Policia ka shtuar se “referuar situatës aktuale nga Pandemia COVID-19, masat dhe kufizimet e përcaktuara për parandalim të përhapjes së virusit, planifikimet policore janë bashkërenduar me autoritetet tjera vendimmarrëse shtetërore për menaxhimin e pandemisë.

“Ruajtja e shëndetit të qytetarëve tanë në këtë fazë është prioritet për ne, prandaj kërkohet kujdes nga të gjithë në zbatimin e masave dhe kufizimeve siç parashihen me vendime të autoriteteve kompetente shëndetësore, në mënyre që të parandalohet përhapja e mëtejme e virusit.

Urdhri operativ i Policisë është shpërndare nëpër të gjitha rajonet/stacionet policore dhe ka për qëllim; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase rrezikojnë qetësinë dhe stabilitetin në vend, garantimin e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe pasurisë private, si dhe atë shtetërore”, vijon përgjigja e Policisë.

Policia e Kosovës bën më tej të ditur se do të jetë aktive në zbatimin e planeve konkrete operacionale aty ku prezenca policorë vlerësohet e nevojshme.

“Policia monitoron gjendjen e sigurisë dhe njëkohësisht kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm që të shmangin veprime të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të tjerëve në përgjithësi si dhe të përmbahen nga përdorimi i paautorizuar i armëve dhe i mjeteve të rrezikshme piroteknike.

Zbatimi i ligjit dhe siguria e qytetarëve nuk ka alternativ, prandaj masa ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë atyre individëve kryej veprime të kundërligjshme dhe që mund të cenojnë sigurinë qytetare”, thekson Policia. 

Go to TOP