Përgjimi që tronditi opinionin publik: Fitim Çeku zbulon komplotin e agjentëve të AKI-së kundër tij
Gazetari hulumtues Fitim Çeku ka dalë me akuza të rënda ndaj dy agjentëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) duke pretenduar përfshirjen e tyre në një komplot kundër tij dhe punës së tij gazetareske. Në përgjimin e publikuar sot, përmendet një takim mes agjentëve të AKI-së dhe drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla, që thuhet se është mbajtur më 23 shkurt 2023.
Sipas Çekut, ky takim ndodhi dy ditë para përfundimit të afatit 60-ditor për pagesën e një investitori anglez që kishte blerë aksionet e gazetës NewBorn. Ai pretendon se ky takim kishte për qëllim komplotimin e lajmeve të rreme për të sabotuar hetimet e tij kundër grupit të Milan Radojiçiqit.
“Ky nuk është vetëm një skandal, por një cenim i rëndë i sigurisë kombëtare,” tha Çeku, duke shtuar se ai dhe familja e tij kanë qenë të rrezikuar për shkak të përndjekjes së vazhdueshme.
Çeku ka bërë të ditur se më 1 dhjetor do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj investitorit dhe pretendimeve të tij se AKI ka bllokuar investimet. Ai ka paralajmëruar se do të publikojë një kopje të kallëzimit penal në media për të nxitur presion publik mbi institucionet e drejtësisë, duke theksuar se rasti ka një vit që nuk është trajtuar nga Prokuroria.
“Unë dua drejtësi, jo për paratë, por për jetën time dhe të familjes sime që u rrezikua,” deklaroi Çeku, duke paralajmëruar pasoja për ata që vazhdojnë përndjekjen ndaj tij.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha mbi pavarësinë e institucioneve dhe rrezikun që investigimet gazetareske po përballen në Kosovë. /Kosova.info/
