Nën presionin e protestuesve miratohet propozim-vendimi për shfuqizimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”

Nën presionin dhe zhurmën e protestuesve dhe pa prezencën e opozitës, Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 25 vota për, asnjë kundër miratoi Propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

Po ashtu kuvendi miratoi edhe propozim-vendimin për anulimin e Vendimet për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2”, në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3”.

Ndërkohë që paraditen e sotme teksa po fillonte mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës e që në rend të ditës ishte edhe Plani Rregullues për lagjen “Kalabria”, banorët e kësaj të fundit u mblodhën para objektit të komunës për ta kundërshtuar shfuqizimin e këtij plani.

Për të njëjtën arsye, këta banorë protestuan edhe më 15 mars para objektit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (MMPHI). Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu reagoi duke thënë se shqetësimet e banorëve do t’i trajtojnë me prioritet.

Go to TOP